
Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në Tiranë, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, me të cilën e nisi axhendën e kësaj vizite, me inspektimin e punimeve për një nga projektet madhore strategjike në kuadrin e rimëkëmbjes dhe modernizimit të hekurudhës shqiptare, atë të ndërtimit të e hekurudhës Durrës – Tiranë me degëzim në aeroportin e Rinasit.





Vlera totale e zbatimit të këtij projekti është 70 milionë Euro, fonde të cilat janë 50% grant nga Bashkimi Evropian dhe 50% kredi e butë BERZH.





Ky segment hekurudhor është tashmë pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në Korrik 2016, ku konkurronin për grante nga BE/WBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) 6 vende të Ballkanit Perëndimor.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku informoi Kryeministrin dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, lidhur me projektin dhe ecurinë e deritanishme të punimeve.