
Ministria greke për Emigracionin dhe Azilin, përmes një raporti mbi të huajt e ligjshëm në Greqi, tha se shtetasit shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të të huajve në vend, Sipas raportit që u referohet të dhënave të muajit gusht të këtij viti, 291.868 emigrantë shqiptarë rezultojnë me leje qëndrimi të vlefshme në Greqi dhe përbëjnë 61.4% të të huajve të rregullt.





Në këtë numër përfshihen edhe rreth 13.329 shtetas shqiptarë që janë pajisur me kartën speciale të identifikimit “si homogjenë”, pjesëtarë të pakicës greke nga Shqipëria, që jetojnë prej vitesh në Greqi. Ata përbëjnë 67% të të huajve që janë pajisur me këtë status.





Sipas Ministrisë greke për Emigracionin dhe Azilin, në të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i shqiptarëve me leje qëndrimi të vlefshme ishte dukshëm më i lartë. Sipas ministrisë greke, 422.954 emigrantë nga Shqipëria rezultonin me leje të vlefshme qëndrimi dhe përbënin 63.07% të të huajve të rregullt në Greqi.