
Cilët sektorë do përfitojnë më së shumti nga buxheti 3 miliardë e 212 milionësh i Kosovës? Qeveria e Kosovës para dy ditëve ka miratuar buxhetin për vitin 2023. Plot tre miliardë e 212 milionë euro janë ndarë për vitin e ardhshëm, ku 296 milionë prej tyre do të ndahen për sektorin e Shëndetësisë.





Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, 60 milionë euro do të ndahen për barnat esenciale, në mënyrë që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare të jenë mirë të furnizuara. Derisa do të hapen 400 pozita shtesë në stafin mjekësor; 100 do të jenë në nivelin qendror dhe 300 në atë lokal.





Një tjetër dikaster i rëndësishëm që do të përfitojë këtë herë buxhet rekord, është Ministria e Mbrojtjes. Buxheti i Ushtrisë së Kosovës për vitin 2023, do të jetë 123 milionë euro. Teksa mbështetje do të ketë edhe sektori i Bujqësisë, pasi janë ndarë 87 milionë euro, derisa sipas Lëvizjes Vetëvendosje, buxheti do të shkojë deri në 100 milionë euro.
60 milionë të tjera do të ndahen për përmbushjen e plotë të zotimit për shtesat për lehona dhe fëmijë. Ndërkohë në infrastrukturë, do të ketë buxhet për projektet; për rrugët që tashmë janë në proces, për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe për nisjen e punës për banimin e përballueshëm.