
Fluturojnë çmimet e biletave për festat e 28 – 29 Nëntorit. Për fundin e nëntorit as që bëhet fjalë për biletat të lira. Çmimet kanë kërcyer ndjeshëm, duke u shumëfishuar. Datat përkojnë me fundjavën dhe dy ditët e para të javës dhe fluturimi për jashtë konsiderohet një mundësi për të kaluar 4 ditë pushim por çmimet tejet e kripura “ta masin kokën me pe”.





Për në Milano, për vajtje në datën 26 nëntor, biletat me Wizz Air variojnë në 70-90 euro, ndërsa kthimi në datën 29 nëntor në 50-90 euro. Bileta më e lirë vajtje-ardhje është 130 euro. Vetëm pak ditë më pas, në 1 dhjetor, çmimet zbresin në 20 euro për vajtje dhe 40 euro për kthim. Me Air Albania, bileta më e lirë në vajtje është 130 euro në 26 nëntor dhe kthimi në 29 nëntor me 124 euro.





Roma është akoma më e shtrenjtë. Vajtja me Wizz Air kushton 190 euro në datën 26 nëntor dhe kthimi 80 euro. Në 1 dhjetor, biletën për të vajtur në Romë mund ta blesh me 40 euro dhe kthimin me 50-60 euro.
Për në Vjenë, me Wizz Air, në datën 25, bileta për vajtje është 260 euro dhe kthimi në 28 nëntor është 80 euro. Me Austrian Airlines, në 26 nëntor, bileta më e lirë për vajtje është 223 euro, ndërsa kthimi në 29 nëntor më i liri është 168 euro.