
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të lëvizjes pa viza do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023.





Vendimi i ri, në të cilin ka pasur qasje REL, është formalizuar pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së, takim që u mbajt të enjten.
Ky propozim është një kompromis mes kërkesës së Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), edhe pse shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy tema të mos lidhen, ose së paku të ketë një datë të prerë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.