Arkitektët italianë befasojnë me qytetin në formë breshke

Arkitektët italianë kanë zbuluar planet për një qytet ultramodern pluskues, në formë breshke, i cili do të kushtojë plot gati 8 miliardë euro për t’u ndërtuar.

Koncepti për qytetin e quajtur “Pangeos” parashikon që gjithçka aty të funksionojë përmes energjisë së siguruar nga panelet diellorë. Në të do të ketë hotele, qendra tregtare edhe parqe. Qyteti lundrues parashikohet të presë 60 mijë banorë, por edhe një pistë për uljen e avionëve dhe të helikopterëve.

“Qyteti lëvizës është i pajisur me 9 motorë plotësisht elektrikë, që arrijnë deri në 16800 kuaj fuqi dhe marrin energji nga disa burime. Ndërkohë që mjeti lundron, krahët e mëdha do të thithin energji nga dallgët dhe do të mundësojnë që mos ketë kurrë ndërprerje. Gjithashtu, çatia do të jetë e mbushur me panele diellore që do të sigurojnë energjinë e nevojshme për ta furnizuar me energji”.